Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, deklaroi se në Europian, donte të ftonte edhe Arbnor Muçollin, por lojtari ka pësuar një dëmtim dhe e ka të pamundur të jetë prezent.
Duke folur për sulmin, tekniku kuqezi, u ndal te Broja dhe Manaj, për të cilët tha se janë në formë të mirë.

Fakti që një lojtar nuk luan shumë, nuk është kriter madhor pasi ka lojtarë që nuk kanë shumë minuta me klubin, ndërsa me Kombëtaren kanë bërë shumë mirë. Lojtarët që vijnë duhet të jenë 100% gati fizikisht dhe psikologjikisht. Është edhe Muçolli që do të doja ta kisha, por ka pësuar një dëmtim dhe nuk e mora dot.
Sa i përket Brojës, e njohim të gjithë. I shpejtë e i fortë një kundër një. Është rikuperuar prej 6 muajsh dhe është fizikisht shumë mirë. Edhe Manaj është në një formë shumë të mirë. Janë 2 lojtarë që mund të na japin shumë në fushë.
Nëse një lojtar dëmtohet pas datës 7 qershor, mund të bëhet vetëm 1 zëvendësim. Deri më 7 qershor mund të ketë surpriza nëse dikush ka probleme. Simoni ka bërë një rrugëtim të bukur me moshat dhe duhet të japë përgjigje në fushë tani.
Sa i përket rinovimit unë dhe stafi jemi të fokusuar te Europiani, të paraqitemi sa më mirë me Kombëtaren përballë rivalëve shumë të fortë.



