Ikja prej kësaj bote e Diego Armando Maradonës ka ardhur edhe si pasojë e neglizhencës. Kështu pretendon avokati i legjendës së futbollit Matias Morla i cili kërkon që të hapet një hetim për këtë çështje.
Maradona vdiq të mërkurën në gjumë pas një sulmi në zemër dhe sipas avokatit ishte një “krim të pashpjegueshëm dhe idiot”, për shkak se nuk erdhi ndihma e nevojshme.
“Sot është një ditë e vuajtjes së madhe, pikëllimit dhe reflektimit,”- ka thënë Morla në një komunikatë zyrtare shkruan Calciomercato.com.
“E ndiej në zemër humbjen e një miku, të cilin e kam respektuar me besnikëri deri në ditën e fundit. E kam përshëndetur personalisht, funerali duhet të jetë një moment privat dhe familjar.
Në bazë të asaj që ka thënë prokurori i San Isidro është e pashpjegueshme që për 12 orë, Diego nuk ka pasur vëmendje ose kontroll nga personeli mjekësor. Ambulancës iu desh më shumë se gjysmë ore për të arritur, ishte një krim idiot. Ky fakt nuk duhet të kalojë pa u vërejtur dhe ju kërkoj që ta hetoni deri në fund. Siç më ka thënë Diego: ‘Ti je ushtari im, i cili punon pa mëshirë,”- ka deklaruar avokati i Maradonës Matias Morla.



