
Largimi i Luis Suarezit nga Atletico Madridi konsiderohet një mundësi për tu përforcuar nga shumë klube.
Uruguajani e ka shprehur se dëshiron të vijojë rrugëtimin në Europë por Inter Miami ia ka hapur dyert për fillimin e një eksperience të re në Major League Soccer .
Amerikanët menjëherë kanë dërguar një ofertë dy vjeçare për ‘’ El Pistoleron ‘’ por dëshira e 35 vjeçarit lidhet me qëndrimin në Europë sepse mendon se mund të kontribojë edhe për disa vite.
Inter Miami liderohet nga legjenda angleze David Beckham dhe prej disa kohësh po tenton edhe Lionel Messin.
Në vitet e fundit Amerika është shquar për transferimin e lojtarëve të famshëm dhe në rastin konkret duke iu referuar këtij sezoni Luis Suarez ka mbetur disi në hije tek Atletico Madridi por eksperienca në futbollin më kompetitiv ia mban ende të hapura dyert për të provuar veten dhe Inter Miami konsiderohet një destinacion shumë interesant.
Një kalim i mundshëm i sulmuesit nga Salto do ti jepte më tepër rëndësi Major League Soccerit dhe sigurisht do të gjente mbështetjen e lojtarëve të famshëm si Blaise Matuidi apo Gonzalo Higuain të cilët lanë shenjë në të kaluarën në ekipe si Paris St Germain , Juventus , Chelsea , Milan , etj .
Përpos sukseseve kryesisht me Barcelonën , ishi i Groningen arriti të fitojë Kupën e Amerikës me kombëtaren ‘’ Celeste ‘’ në 2011-tën duke u bërë protagonist me një gol në finalen e fituar kundër Paraguajit me shifrat 3-0.



