
Rey Manaj, mori ftesën nga Kombëtarja, për dy ndeshjet miqësore, që do të luhen këtë muaj, ndaj Kilit dhe Suedisë.
Në konferencë për mediat, sulmuesi tha se është i emocionuar për rikthimin te Shqipëria, ndërsa shtoi se e shikon veten gati për Europianin e verës.
Ekipin e gjeta shumë mirë, është emocion të rikthehesh pas një viti e gjysmë, sepse vitin e kaluar pata dëmtim dhe qëndrova jashtë. Besoj të gjithë lojtarët janë të motivuar për Europianin, tifozët dhe familjet shqiptare e presin shumë “Euro 2024”.
Kemi pasur komunikim me trajnerin dhe lojtarët, duhet ta tregojnë veten në dy ndeshjet miqësore dhe në stërvitje. Zgjedhjet i bën trajneri.
Viti i kaluar ishte i vështirë dhe pata një dëmtim. Më pas u dëmtova sërish, sepse u riktheva para kohe në fushë dhe qëndrova jashtë fushe për gjashtë muaj. Për Europianin lojtarët i zgjedh trajneri, ne jemi të disponueshëm. Unë me veten time mendoj se jam gati për Europian.
Manaj tha se ka qenë gjithë kohën në kontakt me trajnerin, por pranon se në të kaluarën nuk ishte gati, për shkak të dëmtimit.
Kam pasur gjithmonë komunikim me trajnerin, ka ardhur edhe në Londër të më takoj. Jam shumë i kënaqur sepse është edhe grumbullimi i parë. Në muajin shtator kur kalova te Sivasspor vija nga një dëmtim i gjatë dhe normalisht unë para se të shoh zgjedhjet e tjerëve shoh veten time dhe e dija se nuk isha gati. Tani kemi rastin për të treguar veten në miqësore, jo vetëm unë por të gjithë lojtarët.
Kur një lojtar pëson dëmtim të rëndë duhet të fokusohet shumë dhe të stërvitet. Të gjeja formën ishte kryesore, faza përgatitore me Sivasspor-in shkoi shumë mirë dhe duhet të gjesh besimin e duhur. Duhet të jesh i fortë mentalisht. Besoja se ftesa do të vinte po të luaja mirë, sepse kam tetë vite në Kombëtare. Është mundësia për të treguar vlerat.



