
Anëtari i Bodrit Botëror të Bodybuilding, Marin Meksi, në emisionin “SportZone” në MCN TV, deklaroi se persona të caktuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, mbajnë peng shpërblimet për sportistët. Meksi i bëri thirrje këtyre personave, që të mos nxjerrin kleçka, pasi ka sportistë që jetojnë me këtë punë.
Vëmendja e shtetit në aspektin e prestigjit, të nderimit ka qenë maksimale, vëmendja me ligje, ka qenë maksimale. Qeveria e ka nxjerrë vendimin e këshillit të ministrave, për shpërblimet, është një ligj i tërë, është një VKM, që parashikon shpërblimin ndaj sportistëve elitarë. Megjithatë për fat të keq, janë individë të caktuar, zyrtarë të caktuar, në Ministrinë e Sporteve, të cilët e para e punës, nuk janë profesionistë, nuk kanë lidhje me sportin. Shteti dhe pushtetarët i kanë mësë miri gjërat, por janë disa individë, që e mbajnë peng shpërblimin për sportistët. Bota i shpall heronj, ndërsa ne jo. Kam ndjerë një lloj dëshpërimi. Mirë unë që kam një punë tjetër shteti, kam një profesion tjetër, por ka sportistë elitarë, që jetojnë me këtë punë.
Jo më larg se para pak kohësh, kur dola kampion bote, unë mora ftesën, për të përfaqësuar Francën, në kampionatin botëror të Bodybuilding. Prandaj i bëj thirrje edhe njëherë atyre individëve, të mirëkuptojnë, se janë vendosur aty për të menaxhuar taksat dhe jo të nxjerrin kleçka. Të menaxhojnë mirë, sepse ndryshe do na ikin këta sportistë, që janë pasuria e këtij vendi.
Futbolli është sport popullor, por të mos harrojmë se traditë në vendin tonë, janë sportet e forcës. Të mos harrohen sportet, ku ne kemi dhënë rezultate të mira në të kaluarën.
Në lidhje me karrierën e tij, Meksi deklaroi se pasi mori vendin e parë në Portugali, ka vendosur të tërhiqet dhe do të mbajë postin e menaxherit të ekipit kombëtar.
Unë u shpalla kampion kombëtar i shumëfishtë dhe mbarëkombëtar, duke garuar me sportistë të shumtë nga Shqipëria, Maqedonia Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe të tjerë nga Diaspora. Pas kësaj, kisha fatin të shkoja në Portugali, ku mora vendin e katërt në atë që quhet overall, mes 500 personave dhe mora vendin e parë në kategorinë “Men’s Classic Bodybuilding up to 180”. Me këtë zhvillim të rëndësishëm, të këtij sporti, bëmë që të tërhiqej vëmendja e jurisë dhe ata të kishin shansin të më vlerësonin për performancën time sportive, ku arrita të triumfoja. Kjo mori një vëmendje të madhe të medias dhe arrita të tërheq një lloj vëmendje, për nivelin e sportit dhe për të promovuar sportin e Bodybuilding. Më pas bëra një mbyllje të sportit kompetitiv, për t’i lënë vendin të tjerëve dhe për të kaluar si menaxher i ekipit kombëtar, duke vënë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe lidhjet që kam, për të çuar përpara sportistët e rinj.



