
Pritja merr fund. Jude Bellingham është lojtari më i ri i Real Madrid. Mesfushori është zyrtarizuar këtë të mërkurë nga vetë klubi spanjoll. Futbollisti anglez ka firmosur një kontratë afatgjatë me madrilenët, deri në qershor të vitit 2029. Për të afruar Bellingham, Real Madrid ka derdhur në arkat e Borussia Dortmund plot 103 milionë euro. “Real Madrid dhe Borussia Dortmund kanë rënë dakord për transferimin e lojtarit Jude Bellingham, i cili do të mbetet i lidhur me klubin tonë për gjashtë sezonet e ardhshme. Nesër, e enjte, 15 qershor, në orën 12:00 në ambientet e klubit do të zhvillohet ceremonia e prezantimit të Jude Bellingham si lojtar i ri i Real Madridit. Më pas, Jude Bellingham do të dalë para mediave”, thuhet në njoftimin e Real Madrid.



