
Në një rrëfim të dhënë për revistën “World Soccer”, Armando Broja ka zbuluar objektivat e tij personalë dhe jo vetëm.
Sulmuesi i Shqipërisë, foli edhe për rikuperimin nga dëmtimi, ku tha se po realizohet më shpejt nga sa u parashikua në fillim. Broja u shfaq i lumtur për besimin që i kanë dhënë te Chelsea dhe tha se mezi pret të kthehet, për tua shpërblyer në fushë.
Shqiptari deklaroi gjithashtu se është përpjekur të imitojë Cristiano Ronaldon gjithmonë, për të cilin tha se ka edhe aftësi të ngjashme fizike.
Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar nga mjekët. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua pasi isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi gjatë javëve të para pas operacionit.
Duket se është filozofia e pronarëve të rinj, planifikimi i të ardhmes dhe është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit. Chelsea më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është qëllimi im më i madh afatshkurtër, për ta provuar këtë dhe do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara.
Çdo fëmijë donte të bëhej si Cristiano Ronaldo kur unë isha i vogël. Ai është një lojtar kaq i mrekullueshëm dhe ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua e jam përpjekur ta imitoj teksa rritesha. Ndjehem sikur kam disa aftësi të ngjashme fizike me të dhe duke e vëzhguar vazhdimisht mendoj për përmirësimet që mund t’i bëj lojës time.
Broja zbuloi se ka pasur një takim me trajnerin e ri të Shqipërisë, Sylvinho, për të cilin nuk i kurseu fjalët e mira.
Me Sylvinho, kemi folur disa herë dhe ai erdhi në Angli për të më takuar. Ai është një person shumë i mirë dhe ka një vizion të qartë e të drejtpërdrejtë se ku dëshiron ta çojë ekipin. Është shumë inkurajues. Ai ndan ambicien time për të shkuar në finalet e një Botërori dhe Europiani me Shqipërinë, por ne nuk kemi asnjë iluzion për faktin se ky objektiv do kohën e vet.
Ai u shfaq besimplotë, duke thënë se Shqipëria e ka talentin dhe lojtarët për tu kualifikuar në Botëror, ndërsa shtoi se gjithmonë e ka ëndërruar “Topin e Artë”.
Nuk kam asnjë dyshim që kemi plot talent aty dhe është një nder i vërtetë për mua të jem pjesë e Europianit. E pamë atë që bëri Maroku në Kupën e Botës dhe besojmë se nuk ka asnjë arsye pse ne si grup të mos e përsëritim diçka të ngjashme në të ardhmen. Ne kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj.
Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Champions League. Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem edhe më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë.



