
Vetëm një sezon si pjesë e Vllaznisë, por kaq i ka mjaftuar Eni Imamit, për t’u lidhur me ekipin, qytetin dhe tifozerinë. Pas aventurës europiane, mbrojtësi u largua nga Vllaznia dhe ditën e djeshme zhvilloi ndeshjen e fundit.
Ashtu i përlotur pas përfundimit të ndeshjes, Imami përshëndeti tifozët dhe tashmë do të vazhdojë karrierën e tij te Dinamo.
Mbrojtësi ka shkruar fjalë zemre për vitin që kaloi te skuadra kuqeblu.
“Pa dyshim që është një nga momentet më të vështira për një futbollist kur ndahet nga një ambient që është përshtatur, ku ka gjetur dashuri, ngrohtësi, përkrahje, respekt! Me këtë postim që e zgjodha si më të veçantin dua t’u them gjithë popullit kuq e blu: Faleminderit nga shpirti për çdo gjë. Faleminderit stafit teknik, Thomas Brdaric, Elvis Plori, Safet Osja, Ideal Lekiqi, shokut tim, drejtorit Matko Djarmati që ngulmoi të isha pjesë e Vllaznisë, Znj. Voltana Ademi, Z. Alban Xhaferi, shokët e mi të ekipit që janë pa përjashtim fantastikë!
Krenar që isha pjesë e juaja dhe më falni nëse kam gabuar diku dikur, por kurrë me qëllim! Urimet më të mira për ju nga një tirons, që dha gjithçka për të ngritur lart emrin e qytetit të Shkodrës!”, shkruan Imami në profilin e tij.



