
Java rikthen sërish katër nga pesë sfidat e radhës në Superiore.
Gazetari sportiv Mantho Prokopi, në një analizë për “MCN Informacion”, thotë se veçanërisht dita e premte do të sjellë katër ndeshje shumë interesante, ku disa ekipe janë “të dënuara” të fitojnë, pavarësisht transfertimeve të vështira.
Të premten dhe të shtunën luhet java e 23-të e Abissnet Superiores, e cila, edhe për shkak të formulës së kampionatit shqiptar, rezervon gjithmonë duele interesante.
Vllaznia dhe Egnatia do të jenë të angazhuara në transferta shumë të vështira, ndërsa punë të vështirë pritet të ketë edhe Elbasani, i cili luan në “Elbasan Arena” përballë Teutës, ekip që lufton për zonat evropiane.
Prokopi thekson se dita e premte do të jetë vendimtare, pasi katër sfida pritet të jenë mjaft të forta.
Egnatia dhe Vllaznia konsiderohen “të dënuara” për fitore në transferta të vështira, pasi përballen me skuadra nga mesi i tabelës e më poshtë.
Vllaznia do të përballet me Vorën, një ekip që e ka shumë të vështirë të mposhtet, ndërsa Egnatia ndeshet me Flamurtarin, një skuadër e mirëinvestuar që po tregon rezultate pozitive në fushë.



