
Transferimi i Julian Alvarezit dhe Alexander Sorloth në ‘’ Wanda Metropolitano ‘’ nuk i kanë lënë shumë hapësira Angel Correas në këtë fillim sezoni.
Rivaliteti tek Atletico Madridi në çdo repart është shumë i ashpër dhe argjentinasi natyrisht ka mbetur paksa në prapavijë, edhe pse numëron mbi 400 sfida.
Sulmuesi shquhet për adaptimin në disa pozicione të ofensivës, kontrata e të cilit përfundon në 2026-tën dhe në Serinë A tashmë ka filluar një garë për shërbimet e tij.
Flitet për dy skuadrat e Milanos, Interin dhe Milanin të cilat do të zhvillojnë një tjetër derbi gjatë merkatos së janarit.
Si drejtuesit e zikaltërve ashtu edhe ato të kuqezinjve vlerësojnë eksperiencën jo vetëm në La Liga por edhe kompeticionet europiane, konkretisht në Champions League.
Paraprakisht ‘’ Los Colchoneros ‘’ i kanë bërë llogaritë për të dalë maksimalisht të fituar në këtë histori dhe synojnë të arkëtojnë 15 milionë euro për 29 vjeçarin nga Rosario.
Sipas rrjedhës së ngjarjeve evidentohet se Angel Correa mund të largohet nga Madridi gjatë verës së ardhshme, ndoshta për t’iu bashkuar një ndër klubeve me më shumë traditë në Itali.
Për ekipin e Cholo Simeones do të ishte një humbje por të tilla situata janë mëse normale në futboll.



