
Skuadra e Kastriotit do të luajë në “Play-out” ndaj ekipit të Tomorit, në ndeshjen që do të përcaktojë skuadrën, që do luajë sezonin tjetër në Kategorinë Superiore. Kjo përballje do të luhet në stadiumin “Kamza”, që në sezonin që lamë pas u përdor nga krutanët si vendas.
Sipas axhendës së FSHF, ndeshja është programuar të luhet të dielën më 30 maj, duke filluar nga ora 16:00. Do jetë ndeshje për “jeta a vdekje” për të dyja skuadrat, që do të kërkojnë më çdo kusht fitoren, pasi kjo do i siguronte atyre që sezonin tjetër, të luajnë mes më të mirëve në elitë.
Tomori mposhti Burrelin në finalen e Kategorisë së Parë me rezultatin 2-1, duke bërë që tashëm Superiorja të jetë vetëm një ndeshje larg. Nga ana tjetër, Kastrioti pas një gare të fortë gjatë gjithë sezonit, vetëm në fund ia doli të sigurojë vendin e tetë, që e dërgoi në “Play-out”, pasi një kategori më poshtë ranë Apolonia dhe Bylisi.



