
Shqipëria përballet me Anglinë ditën e nesërme në stadiumin "Wembley", duke filluar nga ora 20:45.
Pritet një sfidë e luftuar, ku kuqezinjtë e drejtuar nga Edoardo Reja do të kërkojnë të bëjnë surprizën e madhe, në një stadium me më shumë se 90 mijë tifozë.
Për sa i përket formacionit, Reja nuk ka ndërmend të ndryshojë skemë as këtë herë dhe në Kombëtarja në fushë do të zbresë me 5-3-2. Në portë do fillojë Etrit Berisha, ndërsa në mbrojtje janë projektuar, Hysaj, Kumbulla, Ismajli, Veseli dhe Trashi. Gjasula dhe Bare priten titullarë në mesfushë, ndërsa ka dilema për lojtarin tjetër, me Çekiçin që shihet në avantazh ndaj Bajramit.
Sulmi me shumë mundësi do të përbëhet nga dyshja, Cikalleshi-Uzuni, të cilët po kalojnë një formë të shkëlqyer me skuadrat e tyre.



