
Drejtori i sportit në RTSH, Pano Xhixho, u shpreh se ky i këtij sezoni, është një kampionat me shumë rivalitet. Gjithashtu, në emisionin “Skaner” në MCN TV, Xhixho tha se Partizani dhe Teuta, po marrin gjoba nga Komisioni i Disiplinës, pasi nuk kanë vendosur në bluzë emrin e sponsorit të kampionatit “Abissnet Superiore”. Në fjalët e tij, ai tha se kjo të bën të mendosh se këto dy klube kanë qenë kundër dhe nuk e kanë firmosur kontratën për sponsorin në fjalë.
“Është një kampionat, aty ku mbaroi i kaluari. Shumë rivalitet, jo aq i bukur sa e prisja, por ka rivalitet dhe është dëshira e madhe për ta ndjekur. Janë dy skuadra që po marrin gjoba që nuk po e respektojnë emrin e Abissnet Superiore, Partizani dhe Teuta. Një kontratë të nënshkruar mes klubeve, nuk ka. Kështu e vendos Komisioni i Disiplinës. Nëse kontrata është lidhur mes pronarit të kompanisë dhe presidentit të FSHF, ndoshta dy presidentët e klubeve thonë që ata nuk kanë nënshkruar. Nuk kemi asnjë reagim zyrtar për këtë, ky është mendimi im dhe ajo që kjo situatë të lë të kuptosh.
Te Partizani lekët i jep Demi dhe jo Rama. Ekonominë e klubit e di presidenti se çfarë do firmosë. Liga Profesioniste mesa di unë, nuk e ka firmosur kontratën. Ajo kontratë nuk i është vënë në dispozicion medias, nëse do ishin më transparentë, do e kishin treguar.”, u shpreh Xhixho.



