Qëndrimi i Rei Manajt tek skuadra e Interit për teknikun e kombëtares shqiptare, Gianni De Biazi nuk ka qënë dhe aq i duhur. Sipas tij për Manajn do të ishte më e nevojshme që të huazohej në një ekip tjetër në mënyrë që të kishte më shumë minuta në dispozicion ku dhe do të fitonte më shumë eksperiencë.
“Për fat të keq te Interi ka pak mundësi. Për fat të keq me skuadrën e parë është inaktiv prej shumë kohësh dhe kjo nuk i bën mirë. Një djalosh si ai, nëse do të kishte shkuar në huazim në një tjetër skuadër, do të kishte mundësinë për të luajtur. Stërvitja me lojtarët e skuadrës së parë të Interit mund ta ndihmojë, por nuk është kjo ajo që i duhet dikujt si Manaj.” – deklaroi kreu i pankinës kuqezi.
Në një intervistë për Tuttomercato De Biazi u shpreh edhe për të ardhmen e tij që përflitet se pas Kampionatit Europian ai mund të marë drejtimin e kombëtares italiane.
“Ka shumë kandidatë dhe nuk mendoj se unë jam mes tyre. Kam një kontratë deri në vitin 2017 me Kombëtaren Shqiptare, por më thoni nëse ka ndonjë trajner italian që nuk do të dëshironte të drejtonte Italinë?.” – komentoi mes të tjerash De Biasi.
