Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një mbledhje me presidentët e Shoqatave Sportive, pas zgjedhjes së Krenar Alimehmeti si kryetar i Shoqatës së Futbollit Tiranë. Në fjalët e tij, Veliaj ka lëshuar akuza në drejtim të FSHF-së.
Kryebashkiaku deklaroi se nuk i heq asnjë presje, fjalëve që u zbuluan nga një audio, e cila u bë publike sot, nga takimi i Veliajt me delegatë, një ditë para zgjedhjeve.
“Meqë kishte shumë nga ata që u skandalizuan me atë që u thanë një grup çunash duket qarte që ai nuk loz futboll, dhe kërkoj ndjesë për këdo që është ofenduar, por nuk i heq asnjë presje çfarë do gjëje që kam thënë. Unë flas më rëndë ndaj padrejtësive në TV sesa në një muhabet shokësh. Ku isha unë? Ku erdhën këta alienë.”
Veliaj theksoi se ditën e nesërme, do të bëhen dy kallëzime, një për sekretarin e përgjithshëm të FSHF dhe për sekretarin e Shoqatës. Kryebashkiaku i Tiranës, shkoi me tej, teksa u shpreh se për këtë ccështje, disa do të shkojnë në burg, pasi kanë bërë falsifikime.
“Nesër ne do të bëjmë dy kallëzime penale. Do bëjmë një kallëzim për sekretarin e Përgjithshëm të FSHF dhe një kallëzim penal për sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës, ata të shoqatës së vjetër dhe besoj që do t’i bashkohet vandakut të madh që prokuroria sot ka në dispozicion. Vandaku vetëm po rritet në të gjithë fushat ku ata ushtrojnë një veprimtari thellësisht kriminale, se sot të gjithë i zgjedhin zgjedhësit, kurse këta zgjedhin zgjedhësit që duan dhe i vënë pastaj si vezë nëpër bikerinat e shoqatës.
Për hir të transparencës, është shumë e nevojshme që ne të bëjmë apelin e shumicës. Në fakt në gjykatën e Tiranës janë regjistruar drejtuesit e shoqatave, jo delegatët që na i cakton FSHF dhe ne i zbulojmë këta vetëm kur shkojmë ditën e votimit. Kjo është një paturpësi dhe është një falsifikim dhe më vjen keq për këta që e kanë bërë. Do shkojnë në burg, është e pashmangshme, do shkojnë në burg se kur falsifikon firmën siç ndodhi në Shijak kur falsifikon delegatët dhe ti thua një ditë përpara që të kam njoftuar dhe 20 delegatë të tjerë që s’i njihte askush, kjo është kriminale dhe disa njerëz do bëjnë burg për këtë çështje dhe kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot.
Këtu prezent kemi shumicën e shoqatave, jo me dyer të mbyllura, siç bëjnë ata me delegatë anonimë nga Shijaku qe fanepsen në Tiranë, ku gjithë punëtorët e ngarkim –shkarkim të vezëve na dalin edhe delegatë të Tiranës. Kurse këtu prezentë janë te gjithë ata që realisht i kanë këto shoqata sportive në Tiranë”, tha Veliaj.



