
Pavarësisht se kontinenti i vjetër është gjithmonë destinacioni më i preferuar i skuadrave të njohura në lidhje me merkaton , Real Madridi ka zgjedhur ti kalojë kufinjtë dhe është ndalur në Argjentinë . Ky shtet shquhet për nxjerrjen e talentëve vit pas viti dhe ‘’ Galaktikët ‘’ janë përqëndruar tek River Plate .
Objektivi i Carlo Ancelottit tek ‘’ Los Millonarios ‘’ quhet Julian Alvarez. Sulmuesi i talentuar konsiderohet si ‘’ Higuaini i ri ‘’ , lojtar që la gjurmë tek spanjollët dhe natyrisht do të mbahet mend gjatë si një ndër kontribuesit më të mëdhenjë në historinë e ‘’ Los Merengues ‘’.
Hapat e tij po ndiqen nga 21 vjecari i cili shumë shpejt ka arritur suksesin dhe ka privilegjin të drejtohet nga një teknik si Marcelo Gallardo që ka befasuar me aftësitë tek kryeqytetasit . 19 gola dhe 13 asiste në 40 ndeshjet e këtij sezoni s’kishin si të mos vlerësoheshin nga tekniku Italian i cili me kujdes po i bën analizat në funksion të një të ardhme të ndritur dhe përzierja e eksperiencës me talentin vijon të jetë një formulë bindëse .
Duhet nënvizuar se argjentinasit dhe spanjollët ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera prej vitesh dhe ky faktor shkon në favor të ‘’ Los Blancos ‘’ për konkretizimin e këtij operacioni tepër interesant dhe me vënd sepse progresi i Julian Alvarez s’ka të ndalur dhe i shërben këtij Real Madridi që pritet të ketë ndryshime me Carlo Ancelottin në pankinë .
Pistat për sulmuesin nga Kordoba nuk mbarojnë këtu sepse edhe Inter me Atletico Madridin i janë vënë pas sepse shohin tek ai një garanci për sulmin pavarësisht se zikaltërve dhe ‘’ Los Colchoneros ‘’ i ka buzëqeshur fati në sezonin e fundit pasi kanë fituar respektivisht La Ligan dhe Scudetton .
Rivaliteti do të jetë patjetër shumë i ashpër deri në fund sepse janë skuadra ku mund të gjejë komoditetin e nevojshëm dhe terrenin për të arritur suksese si në aspektin kolektiv ashtu edhe në atë individual .



