Vedat Muriqi është zyrtarisht një futbollist i Lazio-s. Klubi bardhekaltër me drejtor Igli Taren ka zyrtarizuar sulmuesin e përfaqësues së Kosovës, i cili është blerë nga Fenerbahche për shifrën e 20 mln eurove.
Me Lazio-n 26-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare nga e cila do të përfitojë 2 mln euro në sezon, ndërkohë nga transferimi i tij në Itali përfitojnë edhe Besa e Kavajës, por edhe Teuta, klube në të cilat është rritur sulmuesi.
Për Teutën do të shkojnë rreth 270 mijë euro, ndërsa për Besën e Kavajës rreth 90 mijë. Për ta marrë te Lazio Igli Tare pati jo pak vështirësi, por në fund ia doli për të bindur turqit.



