
Shqipëria U-19, do të luajë një miqësore luksi ndaj moshatarëve të Italisë. Kjo është bërë e ditur nga FSHF, që njofton se sfida do të luhet më 9 gusht, në qendrën e ekipeve Kombëtare të Italisë në Koverçano. Vlen të përmendet se Italia U-19, u shpall kampione Europe, në kampionatin që u mbajt në Maltë pak javë më parë. Kombëtarja U-19 zhvilloi dy miqësore më Kosovën U-19 në muajin qershor në Kukës, duke regjistruar një fitore dhe një barazim. Shqipëria U-19 do të ketë edhe katër miqësore të tjera në muaj shtator e tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që në muajin nëntor kuqezinjtë do të jenë të impenjuar në kualifikueset Europianit 2023-2024 për këtë grup-moshë. Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023. Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese, kurse faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.



