
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e cilësoi si ndeshjen më të rëndësishme për Shqipërinë, atë me Italinë në Europian.
Sipas tij, italianët do të përballen me një “mur të kuq”, ndërsa shtoi se kërkesat për këtë takim, kanë qenë të shumta.
Në intervistën e dhënë për “Sky Sports Italia”, Duka deklaroi se lojtarët nuk duhet të kenë presion.

Në Dortmund do të luhet ndeshja më e rëndësishme, ndeshja e jetës për ne. Marrëdhëniet tona me Italinë janë të veçanta, shumë shqiptarë jetojnë në Itali, do të jetë një ndeshje speciale. Në Xhenova, në ndeshjen miqësore të disa viteve më parë, tifozët tanë kënduan himnin italian. Shpresoj që kjo të ndodhë dhe ne Dortmund.
Në ‘Signal Iduna Park’ presim një ‘mur të kuq’, mendoj se më shumë se gjysma e tifozëve në stadium do të jenë shqiptarë, është një nga ndeshjet e grupeve me më shumë kërkesa për bileta, e dyta pas Gjermani-Zvicër. E dimë se çfarë kundërshtarësh do të kemi përballë, ata janë skuadra të mira, Italia është kampione në fuqi e Europës. Por edhe ne kemi një skuadër të mirë, kemi bërë paraqitje shumë të mira në kualifikuese. Shpresoj që lojtarët tanë t’i përdorin këto ndeshje për të treguar më të mirën e tyre, pa presion. Nëse ia dalim të kualifikohemi do të jemi shumë të lumtur, por do të jemi të lumtur edhe nëse nuk ia dalim.
Italia është gjithmonë ndër skuadrat favorite në Kampionatin Evropian, ata janë gjithmonë aty dhe mund të fitojnë. Ata janë një ekip historik, kampion i Evropës, me shumë cilësi, por lojtarët tanë janë të përgatitur mirë. Italia është favorite, shpresoj të jetë një ditë feste në Dortmund.



