Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, foli për mediat, në prag të sfidës që korçarët do të luajnë ndaj Erzenit këtë të shtunë.
Gvozdenovic deklaroi se është një ndeshje shumë e rëndësishme, ndërsa synohen me çdo kusht 3 pikët. Sipas tij, në fushë do të jetë një formacion sulmues.
Situata deri tani është mirë. Sot do të kemi stërvitjen e fundit. Kemi një problem me Nikajn, i cili ka një dhimbje në gju. Të tjerët janë në rregull.
Ndeshja me Erzenin është shumë e rëndësishme. Presim një ndeshje të fortë, kemi nevojë për pikët. Nuk jemi të sigurt në renditje. Gjithçka është e hapur. Ne jemi Skënderbeu dhe mendojmë vetëm si të luajmë bukur dhe të fitojmë. Me tifozët mendojmë se mund të bëjmë mirë.
Do luajmë si gjithmonë, në sulm dhe bukur. Nëse Nikaj nuk është gati, do vendosim me stafin. Kam besim se do bëjmë një formacion sulmues nesër. Është e vështirë të flasim për ‘Final Four’. Mendojmë vetëm si të fitojmë ndaj Erzenit. Varet nga rezultati. Gjithmonë synojmë një nivel të lartë. Brenda kemi objektiv për të kapur ‘Final Four’.



