Kukësi ka marrë një goditje të fortë ditën e sotme në luftën për titull kampion. Verilindorët janë mposhtur 2-0 në Laç, duke pësuar një disfatë e cila me siguri ka vulosur shumë për këtë sezon, në një kohë kur Tirana fitoi dje 3-0 kundër Vllaznisë.
Në sfidën e zhvilluar në Laç vendasit e drejtuar nga Armando Cungu realizuan dy herë me anë të Lushkjas dhe Selmanit. Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë kampionat diferenca mes Tiranës kryesuese dhe Kukësit ndjekës shkon në 9 pikë, duke e bërë shumë të vështirë një rokadë të mundshme.
Nga ana tjetër për Laçin kjo fitore ishte një gurë themeli në synimet për t’u kualifikuar në Kupat e Europës.
Sakaq në ndeshjet e tjera Teuta nuk është kursyer në transfertën e Gjirokastrës duke fituar 1-5 me Luftëtarin, ndërsa Bylisi ka shtangur Skënderbeun, që e ka mposhtur 1-0 në fushën e Ballshit.



