
Gazetari i sportit, Edi Hajdini, tha se është optimist për një rezultat pozitiv të Tiranës në ndeshjen e kthimit ndaj Zrinjski. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Hajdini deklaroi se Tirana mund ta përmbysë rezultatin 0-1 të ndeshjes së parë, pasi në të kaluarën kanë treguar se mund të përmbysin edhe rezultate më të mëdha.
Sipas tij, një eliminim nga Europa, do të sillte pasoja te kampionët e Shqipërisë, si në merkato, apo edhe do të lëkundte pankinën e trajnerit Shehi.
Nëse kemi parasysh traditën e klubeve shqiptare, asgjë nuk është e pamundur. Pavarësisht humbjes, Tirana në të kaluarën ka treguar se mund të përmbysë rezultate më të mëdha. Jam optimist për një Tiranë ndryshe. Është mundësia e fundit, që Tirana të konfirmojë se është kampionia dhe për fjalët e mira që kishin gjatë gjithë sezonit. Nuk është e pamundur, një gol i shpejtë, do e kthente ndeshjen në të tjera pozita. Edhe kundërshtari është i fortë, por nuk po bën mirë në kampionat. Edhe te Tirana mendojnë se e kanë një mundësi për të rikuperuar. Askush nuk e kishte menduar rrugëtimin e Tiranës pa asnjë fitore në Europë. Tirana pretendonte që të kalonte edhe një tur tjetër. Një eliminim do të linte pasoja te Tirana, edhe në merkato, por mund të lëkundë edhe pankinën e Shehit.
Në lidhje me Laçin, Hajdini tha se kurbinasit do e kenë të vështirë ndeshjen e kthimit me moldavët e Petrocub, për shkak të mungesave, por shtoi se barazimi 0-0 në sfidën e parë, i bën kurbinasit favoritë.
Presioni për Laçin është vetëm që luan në Shqipëri ndeshjen e kthimit. Ai barazim në ndeshjen e parë, e bën Laçin favorit. Duke parë mungesat e rëndësishme, bëhet shumë e vështirë për kurbinasit. Petrocub mbetet një kundërshtar i vështirë. Mbrojtja është pika më e fortë e Laçit. Nuk kanë pësuar asnjë gol deri tani. Edhe sulmi është një repart shumë i mirë te bardhezinjtë.



