Trajneri Skënder Gega është prezantuar ditën e sotme te Kukësi, ku iu besua drejtimi i skuadrës, pas largimit të Diego Longo.
Në fjalët e tij, Gega u shpreh se përgjegjësia është e madhe në këtë rikthim te verilindorët, ndërsa shtoi se për klubin e Kukësit janë bërë sakrifica të mëdha, për të arritur nivelin ku është tani.
Dua të falënderoj presidencën, klubin e Kukësit, por dhe të gjithë njerëzit që kanë shprehur bindjen e besimin që ne mund të bashkëpunojmë prapë. Unë kam qenë te Kukësi, në një moment jo të mirë personal. Thonë që shansi i parë duhet shfrytëzuar mirë, që të kesh dhe shansin e dytë. Kam përgjegjësi të madhe, ndihem shumë i respektuar e besoj se me punë, përkushtim e korrektësi profesionale, besoj se asnjë gjë nuk mungon që ta çojmë Kukësin aty ku i takon.
Ka pasur sakrifica kolosale për ta rritur Kukësin, për stadiumin, për anën financiare. Duhet të jetë gjithmonë në krye, nuk është sekret. Është larg, po, dy orë, por kështu është dhe Korça, dhe Saranda. Ne jemi profesionistë dhe nëse rrimë në Kukës, rrimë vetëm për futboll, për asgjë tjetër. Do të diskutojmë me klubin dhe do të gjejmë ku është më e mira.



