
Klubi i Sivasspor, ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku thekson se nuk ka ende një ofertë zyrtare nga asnjë klub, për të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar, Rey Manaj.
Ky reagim, vjen pas lajmeve të shumta nga mediat turke, ku raportohej se Sivasspor kishte marrë ofertë për Manajn.
“Për shkak të lajmeve të rreme që janë publikuar së fundmi në shtyp dhe në rrjetet sociale rreth transferimit të futbollistit tonë, Rey Manajt, është bërë e nevojshme të informojmë komunitetin tonë dhe publikun. Nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare për transferimin e Rey Manajt nga asnjë klub. I kërkojmë tifozëve dhe komunitetit të sportit që të besojë vetëm deklaratat e bëra përmes kanaleve tona zyrtare. Njofton me respekt publikun, bordi drejtues i Sivasporit”, shkruhet në deklaratën e klubit Sivasspor.
Manaj vazhdon të jetë i përfolur në merkato, për shkak të paraqitjeve të shkëlqyera në sezonin e kaluar, ku në 33 ndeshje, shënoi 18 gola.



