Partizani dhe Vllaznia janë ndarë në barazim 1-1, në “Elbasan Arena” në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë në Abissnet Superiore.
Me këtë baraim, shkodranët ngjiten në vendin e tretë me 5 pikë, ndërsa Partizani mbetet në vendin e gjashtë me 2 pikë dhe ende nuk njohin fitore në kampionat për këtë sezon.
Për sa i përket ndeshjes, Vllaznia kaloi e para në avantazh, me brazilianin Victor Da Silva, i cili pas një asisti perfekt nga Liridon Latifi, zhbllokoi sfidën në minutën e 4-t.
Pas këtij goli ishte një ndeshje e luftuar dhe agresive, me të dyja skuadrat që provonin të shtynin para. Pjesa e dytë foli e gjitha për të kuqtë e Ilir Dajës, të cilët morën në kontroll frenat e lojës. Në minutën e 87-të, Partizani iu afrua shumë golit, por ishte portieri Zogovic, i cili bëri mrekullinë, duke pritur një gjuajtje me kokë të Filipovic.
Megjithatë goli i barazimit nuk do të vononte dhe në minutën e 88-të, pas një topi të mbetur në zonë nga gjuajtja e Albion Markut, ishte Arinaldo Rrapaj, i cili me të djathtën e ndali topin në fundin e rrjetës, duke shpëtuar Partizanin nga humbja.



