
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka kërkuar hapjen e basteve sportive, pasi sipas tij janë një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive.
Propozimi u kreut të FSHF, u bë ditën e sotme, në një takim mes presidentëve të klubeve të Superiores dhe atyre të Kategorisë së Parë, ku u diskutua për ligjin e sponsorizimeve dhe për propozime që do i bëhen qeverisë, për zhvillimin e futbollit në vend.
Përveç ligjit të sponsorizimit, e dyta, e thënë edhe nga organizata të tjera sportive në vend, jo vetëm nga ne, bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, por ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit. Kështu që të bëjmë një kërkesë qoftë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive, parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit.
Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive. Nëse edhe ju jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive dhe për ndonjë gjë tjetër që ju mendoni.



