
Rafael Leao pa asnjë diskutim do të jetë një ndër protagonistët e merkatos së ardhshme .
Portugezi ende nuk e ka arritur akordin e rinovimit me Milanin dhe tanimë gjigandët e kontinentit të vjetër kanë nisur ofensivën për ishi-n e Lilles.
Gara do të jetë shumë e ashpër dhe sipas raportimeve të ‘ Calciomercatos ‘, Paris St Germain , Manchester City dhe Chelsea kanë përgatitur çekun prej 100 milionë eurosh për të firmosur me golashënuesin e ‘’ Djallit ‘’.
Forma e mrekullueshme si me Milanin ashtu edhe me Portugalinë në Botërorin e Katarit i ka shtuar bindjet e drejtuesve respektivë se duhet të firmosin me çdo kusht me kampionin në fuqi të Scudettos.
Për sa i përket sezonit aktual , sulmuesi nga Almada numëron 9 gola dhe 10 asiste në 31 sfidat e tij dhe konsiderohet lojtari më deçiziv i Stefano Piolit tek shtatë herë kampionët e Champions Leagues.
Duke njohur cilësitë e talentit luzitan dhe rëndësinë tek kjo skuadër, pritet që drejtuesit e Milanit të luftojnë deri në fund për ta arritur objektivin dhe në njëfarë mënyre të evitojnë fuqizimin e kundërshtarëve të mundshëm në të ardhmen në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, në të cilin kjo skuadër ka shumë eksperiencë.



