
Jorginho është një nga lojtarët më të mirë te Chelsea, por edhe te kombëtarja e Italisë. Me skuadrën dhe kombëtaren e tij, mesfushori fitoi disa nga trofetë më të rëndësishëm të sezonit të kaluar dhe për këtë arsye është mes kandidatëve për fitimin e “Topit të Artë”. I pyetur në lidhje me çmimin individual, në një intervistë futbollisti me shaka tha se votën do ia jepte vetes.
“Mendoj se do të votoja për veten time për “Topin e Artë”, dua të marr të paktën një votë. Po bëj shaka. Mendoj se do t’ia jepja votën Kevin de Bruyne për gjithçka që ka bërë vitet e fundit. Për ata që e duan futbollin, është normale, ai është një lojtar me inteligjencë mbi mesataren.
Në të kaluarën, unë luaja sulmues, pastaj më kaluan në mesin e fushës. Në fakt, nga sulmi kalova në numrin 10. Më pas edhe më mbrapa. Fillimisht idhujt e mi ishin Ronaldinho, Ronaldo Fenomeni dhe Kaka, pastaj pashë shumë Pirlon dhe Xavin”, deklaroi Jorginho.



