Ka nisur në kampionatin shqiptar, sezoni i merkatos së dimrit, duke zyrtarizuar afrimin e katërt për këtë fazë të sezonit.
Gazetari sportiv Mantho Prokopi shprehet për “MCN Informacion” se Tirana është i vetmi ekip që po tregohet më aktiv në këtë merkato, në përpjekje për të rikuperuar problemet e hasura gjatë sezonit.
Prej 1 janarit ka nisur merkatoja dimërore, e cila zgjat deri më 31 janar. Kjo periudhë shërben kryesisht për të riparuar problemet ose dëmet që skuadrat kanë evidentuar në fazën e parë të kampionatit.
Kjo ka ndodhur edhe në kampionatin shqiptar, ku skuadrat që kanë pasur më shumë probleme janë përpjekur të ndërhyjnë që në fillim, ndërsa ekipet që ndodhen në një situatë më të mirë po tregohen më të rezervuara.
Kjo, sepse merkatoja e janarit mbart gjithmonë rrezikun që ose të përmirësojë situatën, ose ta përkeqësojë atë.
Në Shqipëri duket se kemi një merkato të ngadaltë. Vetëm Tirana po spikat me afrime dhe largime të shumta, në përpjekje për të korrigjuar një pjesë të parë katastrofike të sezonit, duke qenë aktualisht në fund të tabelës së renditjes.
Skuadrat e tjera duken ende në një lloj letargjie, ose po marrin kohën e nevojshme për të përcaktuar objektivat konkrete dhe për të bërë lëvizje minimale.
Prokopi sjell në vëmendje edhe shembullin e ekipit të Partizanit të sezonit të kaluar, ku largimi i katër lojtarëve prishi boshtin e skuadrës dhe solli një rënie të ndjeshme të rezultateve në pjesën e dytë të kampionatit.



