Erzeni nuk është më i pathyeshëm në kampionat. Shijakasit kanë regjistrura humbjen e parë në kampionat, teksa janë mposhtur nga Bylis me rezultatin 4-1 në stadiumin “Adush Muça”.
Ballshiotët u shfaqën më kërkues që në fillim dhe e mbyllën pjesën e parë në avantazhin e dy golave.
Lajthia zhbllokoi rezultatin në minutën e 10-të, ndërsa në të 25-ën, Kacorri dyfishoi shifrat. Pjesa e dytë nisi sërish me vendasit më kërkues dhe në minutën e 58-të, shënuan të tretin me Beji, që përfitoi nga një pasiguri e Xhikës.
Në minutën e 70-të, Enck rihapi sfidën duke shënuar për Erzenin, por Bylis gjeti sërish golin, me Souza që vulosi shifrat në 4-1 në minutën e 90-të.
Me këtë fitore, Bylis shkon në kuotën e 11 pikëve në vendin e dytë, po aq sa edhe Erzeni që zbret i treti, ndërsa kryesimi mbahet nga Partizani me 12 pikë.



