Përveç afrimeve në skuadër, te Laçi mendojnë edhe për rinovimet. Për këtë arsye, klubi kurbinas ka njoftuar ditën e sotme zgjatjen e bashkëpunimit me një nga titullarët e sezonit që sapo përfundoi. Bëhet fjalë për mbrojtësin, Renato Malota.
Ky i fundit do të jetë pjesë e kurbinasve edhe për sezonin e ardhshëm. Ka qenë vetë klubi bardhezi, që nëpërmjet një komunikate, ka bërë të ditur rinovimin e kontratës edhe për një sezon me mbrojtësin lezhjan.
Malota shihet si një nga lojtarët kryesorë dhe për këtë arsye, trajneri Shpëtim Duro së bashku me drejtuesit kanë kërkuar që të vazhdojnë bashkëpunimin me lojtarin 31-vjeçar.



