
Skënderbeu ka triumfuar në super sfidën e javës së 21-të të Kategorisë Superiore duke mposhtur në fushën e tyre skuadrën e Partizanit me rezultatin e ngushtë 1-0.
Një autogol i shënuar nga qëndërmbrojtësi i Partizanit, Gojkoviç, i dha tre pikëshin skuadrës së drejtuar nga Ilir Daja në këtë takim duke vijuar i qetë rrugën drejt titullit kampion.
Një 90 minutësh që dhuroi mjaft emocione me të kuqtë të cilët edhe pse arritën që të dominonin takimin, nuk arritën dot që të dilnin me pikë nga kjo transfertë duke marrë kështu humbjen e rradhës pas asaj kundër Kukësit në “Selman Stermasi” javën e kaluar.
Autogoli i Gojkoviç në minutën e 63-të vulosi fatet e këtij takimi që e ngjit skuadrën e Skënderbeut në kuotën e 49 pikëve, ndërsa Partizani mban vendin e gjashtë në renditje me 28 pikë të grumbulluara duke rrezikuar seriozisht pjesmarrjen në Kupat e Europës.
Ndërkohë, derbi bregdetar mes Teutës dhe Flamurtarit i zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0.
Të dyja ekipet ndanë nga një pikë pas një 90 minutëshi emocionues. Me këtë barazim Flamurtari mban vendin e dytë me 36 pikë, ndërsa Teuta renditet në vendin e nëntë me 18 pikë.
Java e 21-të e Kategorisë Superiore mbyllet nesër me sfidën e fundit që do të zhvillohet në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Vllaznisë.
Rezultatet e sotme të Kategorisë Superiore.
Kukësi 1-0 Laçi
Teuta 0-0 Flamurtari
Skënderbeu 1-0 Partizani
Lushnja 2-3 Kamza



