
Vllaznia ka prezantuar një afrim të ri në merkato, ditën e sotme. Klubi shkodran ka njoftuar firmën me sulmuesin kroat, Ante Aralica. Ky i fundit vjen nga kampionati rumun, aty ku ka qenë pjesë e skuadrës së Hermannstadt, në Ligën e Dytë.
25-vjeçari shton kështu forcat për trajnerin Brdaric në repartin e avancuar, aty ku në sezonin e fundit Vllaznia shfaqi mjaft probleme. Aralica vjen te Vllaznia, vetëm një ditë pasi kuqeblutë u eliminuan nga Conference League, ku u mposhtën nga qipriotët e AEL Limassol.
“Klubi i Futbollit Vllaznia bën të ditur se ka firmosur me futbollistin Ante Aralica. Sulmuesi 25 vjeçar kroat do të jetë pjesë e klubit tonë për dy sezonet e ardhshme.”, thuhet në komunikatën e klubit shkodran.



