Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Sport Zone” në MCN TV. Toçi ishte së bashku me dy skiatorët e rinj, të cilët kanë lënë Italinë dhe kanë vendosur të përfaqësojnë Shqipërinë, Deni Xhepa dhe Kevin Qerimi, madje ky i fundit u rendit i treti në botë, në kampionatin e të rinjve.
Toçi tha se në rast se do punohet si duhet me këta dy sportistë, atëherë ai premtoi se shumë shpejt ata do i sjellin medalje Shqipërisë.
“Sporti i skive, pas futbollit ka një numër të madh ndjekësish. Edhe në Shqipëri ka ndjekësit e vet. Ne jemi federatë, me buxhetin më të vogël. Kevin nuk është meritë vetëm e Federatës, ne e ftuam këtu. Kevin ka dalë i treti në botë, në kampionatin e të rinjve. Të thuash që merresh me ski në Austri ke thënë diçka të madhe. Në podium u vendos një djalë shqiptar. Italia ka një buxhet 60 milionë euro për sportin e skive. Këta djem përpiqen çdo ditë dhe i japin flamurit nder. Media është një armë shumë e fortë, për promovim, që këta djem të kuptojnë se nuk janë vetë. Një ditë, unë u betohem se këta dy djem, nëse do kenë përkrahjen dhe promovimin e duhur, do jenë kampionë në Olimpiadë.
Deni ka qenë lojtar i kombëtares italiane. Kombëtarja jonë nuk ishte afirmuar dhe nuk kishim buxhetet që kemi. Ky djalë ka rezultate kaq të kënaqshme sa Kevin. Janë vetëm 17 vjeç. Ne vetëm duhet të jemi seriozë me punën për këta.
Sivjet kemi kampionatin Botëror të të rinjve. Kemi një lajm shumë të mirë. Vetëm para dy ditësh na u njoftua, për herë të parë Shqipëria do të bëjë kampionatin Europian, por në Itali. Këtu nuk kemi standarde dhe pista të licencuara. Do e bëjmë skinë që të ndiqet si futbolli në TV. Këta djem nuk mbahen pa sponsor.
Është sport ekstrem. Djemtë që bëjnë gara të niveleve të larta, kanë risqet e tyre. Deri më sot nuk kemi pasur risqe, urojmë të mos kemi asnjëherë. Është futur një frymë, jo të marrim pjesë, ne jemi aty për medalje, në Botërorin e Kanadasë. Këta stërviten me kampionët. Këta dy djem kanë marrë 50 pikë, janë shumë afër për të arritur pikët e nevojshme. Nëse me këta djem punohet si duhet në 5 vite, atëherë do kemi medalje. Me modesti e them se do të jemi kampionët e Ballkanit.
Me Fidel Yllin unë takohem thuajse çdo ditë. Në mënyrë që këta t’i trajnojmë si duhet. Ylli ka ardhur me një ambicie të madhe. Ndjej që kemi të njëjtat valë, diçka që ka munguar në të kaluarën. KOKSH, është kryeministria e sporteve. Ne duam projekte për këta djem. Ne do nxjerrim kampionë Europe në ski.”, u shpreh Toçi.



