
Klubi i Juventusit është përjashtuar nga garat europiane në sezonin e ardhshëm. Ky është vendimi i fundit i UEFA-s që vjen pas penalizimit të bardhezinjve nga Federata Italiane. Klubi italian nuk do të jetë pjesë e Ligës së Konferencës vitin e ardhshëm. Po ashtu torinezët do të paguajnë edhe një gjobë që kap shifrën 20 milionë euro. Të drejtën për të garuar sërish në Ligën e Konferencës e fiton Fiorentina, që humbi në finale përballë West Hami-t. Presidenti i Juventusit Gianluca Ferrero i qëndroi edhe njëherë deklaratave se klubi ka vepruar me korrektësi, dhe u shpreh se vendimi nuk do të apelohet. “Ne kemi vendosur të mos apelojmë kundër këtij gjykimi. Tani po shkojmë drejt kampionatit dhe kupës së Italisë: do të bëjmë çmos për t'i dhënë tifozëve tanë kënaqësinë më të madhe të mundshme në këto gara”, tha ai.



