
Shqipëria U-17 luajti miqësore me moshatarët e Bosnje-Hercegovinë këtë të mërkurë, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
17-vjeçarët e drejtuar nga Ervin Bulku, u ndalën në një barazim pa gola. Pjesa e parë ka qenë e balancuar dhe kuqezinjtë kanë bërë një paraqitje të mirë ndaj një kundërshtari mjaft të fortë, që ashtu si Shqipëria është kualifikuar për në fazën Elite Round të Europianit U-17. Ndonëse janë përpjekur vazhdimisht kquezinjtë kanë pasur vetëm një rast të mirë për gol në minutën e 37-të me protagonist Toskun, teksa portieri boshnjak ka zgjidhur situatën.
Në pjesën e dytë tekniku Bulku bën disa zëvendësime duke hedhur në fushë gradualisht një pjesë të mirë të lojtarëve që ishin në stol. Të dyja skuadrat tregohen shumë të kujdesshme dhe mbrohen mirë duke lënë shumë pak hapësirë e për rrjedhojë rastet për shënim janë të pakta. Shqipëria U-17 ka edhe një mundësi me Duron në minutën e 82-të, i cili hyri si zëvendësues, por sërish portieri Mehiç bllokon tentativën.
Kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin të dielën e 12 shkurtit në Durrës, ku po përgatiten për këto miqësore si edhe për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Shqipëria është shortuar në Elite Round në grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë dhe të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars.



