
Ndeshja e fundit kualifikuese në Champions League, Fenerbahce-Dynamo Kyiv, ka bërë që organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA të hapë një hetim. Kjo ka ndodhur për shkak të tifozëve të Fenerbahces, pasi janë dëgjuar duke kënduar emrin e presidentit rus, Vladimir Putin.
Skuadra turke, u eliminua nga kompeticioni pasi Dynamo Kyiv i Ukrainës shënoi një gol në kohën shtesë për të fituar ndeshjen e dytë në Stamboll 2-1 të mërkurën.
Videot e shpërndara në internet, tregojnë qartë një pjesë të madhe të tifozëve vendas që këndojnë emrin e Putinit menjëherë pasi Buyalskyi nisi festën për golin e avantazhit për miqtë.
“Një Inspektor i Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s do të kryejë një hetim disiplinor në lidhje me sjelljet e pahijshme të supozuara të tifozëve të Fenerbahçes”, thuhet në një deklaratë të UEFA-s.
Kjo solli edhe reagimin e klubit turk, me Fenerbahce që nëpërmjet një deklarate, shkruan se reagimi i disa tifozëve, nuk përfaqëson qëndrimin dhe vlerat e klubit.
Vasyl Bodnar, ambasadori i Ukrainës në Ankara, tha se ishte i trishtuar të dëgjoje thirrje të tilla në një ndeshje futbolli.
Futbolli është një lojë e ndershme. Dynamo Kyiv ishte më i fortë. Është shumë e trishtueshme të dëgjosh fjalët mbështetëse të tifozëve të Fenerbahçes, në favor të vrasësit që po bombardon vendin tonë. Unë jam mirënjohës ndaj popullit turk për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës dhe për konsideratën e tyre për veprimet e papërshtatshme të tifozëve.



