
Sulmuesi i Kosovës, Astrit Selmani është transportuar me urgjencë në spital, pas një përplasje në ndeshjen mes Hammarby dhe Ostersunds.
Pasi mori një goditje me bëryl nga një prej kundërshtarëve, Selmani ra pa ndjenja në fushë. 24-vjeçari qëndroi për disa sekonda pa ndjenja në fushë, teksa pasi iu rikthye vetëdija, u transportua në spital, për të marrë mjekim më të specializuar.
Gjithçka ndodhi në minutën e 40-të, ndërsa në orët e ardhshme, pritet të ketë një njoftim tjetër për gjendjen e sulmuesit.
“Astrit Selmani i humbi ndjenjat për disa sekonda gjatë një përplasjeje në ndeshjen kundër Ostersund që po zhvillohet momentalisht. Përveç vetullës së carë, ai mund të ketë përjetuar edhe tronditje në kokë. Astriti është duke u dërguar në spital tani për ekzaminime të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Hammarby.



