
Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha ka dalë para mediave, ku ka folur në lidhje me ndeshjen e nesërme, ndaj Hungarisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit Katar 2022. Në fjalët e tij, portieri i Shqipërisë, tha se skuadra duhet të ruajë gjërat pozitive që bëri ndaj Polonisë dhe të eliminojë gabimet.
Gjithashtu ai u shpreh se te Kombëtarja janë të motivuar për të marrë fitoren ndaj Hungarisë.
“Me siguri jemi të gjithë të vetëdijshëm për lojën që bëmë me Poloninë. Bëmë gjëra shumë të mira, por duhet të eliminojmë disa gjëra, për shembull në pranimin e golave. Gjërat e mira duhet t’i marrim me vete, por duhet të mësojmë nga gabimet, sidomos nga golat e pësuar. Nga loja e mirë që bëmë, duhet të kishim marrë më shumë. Në ndeshjen e radhës, duhet të eliminojmë gabimet dhe të rikthehemi te fitorja.
Nesër është një ndeshje e rëndësishme për të dyja palët. Nëse fitojmë me Hungarinë, kemi mundësinë për të vazhduar ëndrrën tonë.
Pas ndeshjes e dinim çfarë kishim bërë, të mirat dhe të këqijat. Kjo ndeshje do të thotë shumë dhe jemi të motivuar të luajmë mirë dhe të fitojmë. Një fitore do na jepte besim për vazhdimësinë. Mendoj që kombëtarja jonë ka bërë një hap të rëndësishëm, duke parë lojërat që janë më të mira. Kemi personalitet në lojë, bëjmë gjëra të mira. Duhen eliminuar disa gabime që shmangen. Hungaria është ekip i fortë, por nesër do të jetë një ndeshje e veçantë për të dyja ekipet. Mendoj se për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Respekt për Hungarinë, por do të futemi në fushë për fitore.”, u shpreh Berisha.



