
Nuk ka ndryshime, finalja e Superkupës së Europës, mes Villarreal dhe Chelsea do të luhet në Irlandën e Veriut, ashtu siç ishte planifikuar më parë. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Winsdor Park”, në qytetit Belfast, më 11 gusht.
Në media ditët e fundit kanë qarkulluar lajme, për ndryshimin e stadiumit, teksa thuhej se mund të zhvendosej në Stamboll. Megjithatë spekulimeve i ka dhënë fund presidenti i Federatës Irlandeze të Futbolli, David Martin, i cili ka thënë se finalja e Superkupës do të luhet në stadiumin “Winsdor Park” dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë.
“Fakti që një ndeshje kaq e madhe dhe e rëndësishme do të luhet këtu, është diçka e madhe për vendin dhe të gjithë ne. Kjo është ndeshja më e madhe në histori që luhet në Irlandën e Veriut. Ne do donim të shikonim një numër të madh tifozësh në stadiumin kombëtar. Nuk e di saktësisht sa tifozë do kemi në stadium, por ajo që dimë është se do të luhet me tifozë dhe kjo është e sigurt. Kemi edhe 2 muaj kohë dhe të shikojmë se çfarë mund të ndodhë”, u shpreh Martin.
Në finalen e Superkupës luajnë Chelsea si fitues i Champions League dhe Villarreal që triumfoi në Europa League.



