Gerti Çarçani i ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV, komentoi vizitën e presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin në Shqipëri, ku kishte dy takime, me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e FSHF, Armand Duka.
Çarçani zbuloi se pas ngjarjeve të fundit, UEFA ka paralajmëruar se do të merrte dënime të rënda në drejtim të Shqipërisë, duke e përjashtuar për 10 vite nga Europa si dhe do të zhvendosnin finalen e Conference League nga Tirana. Sipas tij, Ceferin këto ia bëri të qarta edhe kryeministrit Rama.
“Nga dje kur ishte takimi dhe deri sot, është shuar çdo reagim nga kryetari i Bashkisë. Di të them që penalizimi do të ishte shumë i rëndë, 10 vjet rresht jashtë kompeticioneve europiane për Shqipërinë dhe zhvendosje e finales së Conference League. Këtë ia bëri të qartë Ramës edhe Ceferini. Duka është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA dhe sulmi mund të konsiderohej edhe si sulm për institucionin. Nga dje deri sot, nuk ka pasur asnjë fjalë nga Veliaj për FSHF.
Procesi është monitoruar gjithmonë nga UEFA. Ceferin ka lënë edhe dy emisarë të tjerë, për të ndjekur nga afër se çfarë do të ndodhë në Shqipëri. Zgjedhjet nuk do bëhen në 2 mars, mes di unë. Më 2 mars, do të ketë një asamble.
Do ishte një dëm i madh, nëse finalja e Conference League do të hiqej nga Shqipëria.”, u shpreh Çarçani.



