Sulmuesi Eden Hazard, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur, në moshën 32-vjeçare.
Këtë e ka bërë të ditur vetë belgu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Dëmtimet e shumta dhe forma jo optimale, kanë shtyrë Hazard, që të tërhiqet, pas një karriere të suksesshme, ku përveç kombëtares belge, ka luajtur edhe me skuadra si Lille, Chelsea dhe Real Madrid.
Postimi i lojtarit:
Ju duhet të dëgjoni veten dhe të thoni ‘ndal” në kohën e duhur. Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjesh të luajtura, kam vendosur t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist. Unë arrita të realizoj ëndrrën time, kam luajtur dhe jam argëtuar në shumë fusha në mbarë botën.
Gjatë karrierës sime kam pasur fatin të takoj menaxherë, trajnerë dhe lojtarë shumë të mirë. Faleminderit të gjithëve për këto kohë të mrekullueshme, do të më mungosh të gjithëve. Gjithashtu dua të falënderoj klubet për të cilat kam luajtur: Lille, Chelsea dhe Real Madrid. Falënderoj dhe Kombëtaren belge. Një falënderim i veçantë për familjen time, miqtë e mi, këshilltarët e mi dhe njerëzit që më kanë qëndruar pranë në kohë të mira dhe të këqija.
Një falënderim i madh për ju, tifozët e mi, që më keni ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve dhe për inkurajimin tuaj kudo ku kam luajtur. Tani është koha për të shijuar të dashurit e mi dhe për të pasur përvoja të reja. Shihemi së shpejti jashtë fushës miqtë e mi.



