Ilir Shulku, për MCN TV, ka zbuluar se stadiumi i Besëlidhjes, do të jetë i radhës ku do të ndërhyhet për rikonstruksion. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, u shpreh gjithashtu se finalja e Conference League, e cila do të zhvillohet në Tiranë, u fitua me projekt.
“Nëse ligji i sponsorizmit aprovohet, do të jetë një mbështetje e madhe për sportin në Shqipëri. Nëse aprovohet, e them me bindje që për pak vite do të shikojmë zhvillim tjetër.
Qyteti i Lushnjës do të ketë një tjetër zhvillim tani. Do të bëhen 3 fusha të reja me tapet, gjithashtu edhe stadiumi. Tani Lushnja ka 1, ndërsa për pak kohë do të ketë 4 të tilla. Në “Selman Stërmasi” ka filluar rikonstruksioni i tapetit. Në stadiumin e Lezhës do të ndërhyhet në komplet tribunën qendrore dhe dhomat e zhveshjes. Edhe aneksi i Besëlidhjes është në gjendje jo të mirë. Këto janë të gjitha me investimin e Federatës.
Finalja e Conference League, është një event i rrallë, të cilin e përfituam. Nuk u përfitua me zgjedhje me short, por u përfitua me projekt. Ne aplikuam edhe një vit më parë për ta marrë, por UEFA u bind vitin e dytë me projektin e paraqitur nga ne. Një kompeticion i tillë në Tiranë, do të ketë zhvillim vendi dhe futbolli.”, përfundoi Shulku.



