
Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi, foli në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, për përfaqësimin e Shqipërisë, në Kampionatin Ekipor Evropian të Atletikës, ku Luiza Gega shkroi edhe historinë, duke marrë medalje të artë dhe duke u bërë atletja me më shumë medalje në të gjitha kohërat. Stërmasi deklaroi se është shumë i kënaqur nga grupi i atletikës, që regjistroi 257 pikë, si asnjëherë më parë. Ai u shpreh gjithashtu se do të jenë tre atletë që do të garojnë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike për Shqipërinë. "Jam shumë i kënaqur me grupin e atletikës. Kemi mbledhur 257 pikë. Kemi 100 pikë më shuëm se gara e kaluar. Është përfaqësimi më dinjitoz ndonjëherë. Tre vende të para, dy vende të treta dhe tre vende të pesta. Jemi shumë të kënaqur me ekipin. Kemi shumë punë përpara. Kanë bërë garat më të mira. Luiza Gega, është brenda pritshmërive. Është një nise e mbarë e ekipit. Shpresoj që në edicionin e ardhshëm, të jemi në “TOP3” dhe të shkojmë në Ligën e Dytë. Kemi tre kandidatë që do të luftojnë deri në fund për Lojërat Olimpike. Po bëjmë plane më të tre sportistët që vendin e tretë, të kenë një program shumë të mirë. Arritja e normës, nuk është e lehtë. Në Lojërat Olimpike, nga dy sportistë, do të tentojmë të kemi tre. Herën e fundit ishim në finale, nuk ka ndodhur kurrë. Në kampionatin e fundit botëror, Luiza kishte vendin e pestë. Shpresojmë në një renditje më të mirë në botërorin e këtij viti. Luiza Gega është sportistja më e mirë e Europës në këtë aktivitet, me më shumë medalje në të gjitha kohërat. Më shumë se kaq një shtet i vogël nuk mund të pretendojë. Sa më shumë vite të kalojnë, Luiza është më e pjekur dhe më gati për garën. Do jemi shumë herë më mirë në 2024, sesa jemi në 2023.", deklaroi Stërmasi.



