
Mesfushori i Shqipërisë, Enis Çokaj ka ndryshuar ekip, teksa tashmë do të vazhdojë karrierën në Greqi.
23-vjeçari do të vazhdojë karrierën te klubi i njohur grek, Panathinaikos. Kanë qenë këta të fundit që kanë njoftuar firmën me Çokajn. Shqiptari ka firmosur për 4 sezone me skuadrën e re dhe tashmë përgatitet për aventurën e re.
Klubi kroat i Lokomotivës së Zagreb, ka zbuluar në rrjetet sociale se mesfushori kalon te grekët për më shumë se 1 milion euro, pa dhënë shifrën e saktë.
Çokaj, për 6 muaj luajti në Superiore me Laçin në huazim, nga vera e vitit 2019 ishte një titullar fiks te Lokomotiva, duke luajtur më shumë se 100 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Me paraqitjet e bëra në Kroaci mesfushori fitoi edhe ftesën në kombëtaren e Shqipërisë, me të cilën edhe debutoi në kualifikueset e Botërorit 2022 në duelin kundër San Marinos në “Elbasan Arena”.



