Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, foli për MCN TV, pas fitores ndaj Egnatias.
Gvozdenovic u shfaq shumë i lumtur, ndërsa tha se skuadra e tij tregoi se është e fortë dhe me cilësi.
Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur. Çunat i meritojnë të gjitha. Sot ishte një ndeshje e bukur. Kishim ekuilibër në fazën e mbrojtjes. Dinim si të menaxhonim situatën dhe të mbronim rezultatin. 3 pikët ishin shumë të rëndësishme për ne sot.
Pjesa e parë ishte shumë e mirë për ne. Pas 2-0 po mendonim të rrinim pak mbrapa dhe provuam kundërsulme. Nga fillimi i pjesës së dytë, Egnatia ishte pak më mirë në 10-15 minuta pasi goditën edhe shtyllën. Po të shkonte 2-1 për Egnatian, nuk e dinim si do shkonte. Por fati është pjesë e lojës. Egnatia është skuadër e mirë, në vendin e parë dhe ka cilësi. Por sot treguam që jemi skuadër e fortë dhe me ekuilibër dhe e shpejtë në tranzicione. Kemi dëshirën e madhe për të fituar çdo ndeshje.
Kemi cilësi dhe kapacitet. Kemi dhe shumë dëshirë për të luftuar dhe provuar për të qëndruar në vendin e katërt. Tirana dhe Dinamo janë shumë afër, por ne kemi besimin shumë të madh. Do vazhdojmë të luftojmë.



