Hajdini: Shehi i kishte planet gati, Tirana fitoi si grup ndaj Vllaznisë

Hajdini: Shehi i kishte planet gati, Tirana fitoi si grup ndaj Vllaznisë

 

Gazetari i sportit, Edi Hajdini nga studio e edicionit të lajmeve në MCN TV, komentoi fitoren e Tiranës me shifrat 0-2 ndaj Vllaznisë. Në fjalët e tij, Hajdini tha se në këtë sfidë, vendosën skemat e trajnerëve. Sipas tij Shehi i kishte të gjitha planet gati për këtë sfidë, ndërsa shtoi se kishte punuar shumë me ekipin, që të mos kishte eufori pas fitores në derbi.

Hajdini foli edhe për fitoren e Kukësit ndaj Dinamos, ku tha se skuadra e Longos, është rivali më i fortë momentalisht për Tiranën.

INTERVISTA:

Edhe pse në një fushë të vështirë si ajo e Vllaznisë, Tirana duket se mori një fitore të lehtë. A mund të flasim për një diferencë të madhe në cilësi mes Tiranës dhe skuadrave të tjera të Superligës?

Hajdini: Fitoret në Loro Boriçi nuk kanë qenë asnjëherë të lehta. Tirana ia doli të marrë një fitore shumë të rëndësishme. Ishte një ndeshje që vendosën skemat e trajnerëve. Tirana vinte nga një fitore në derbi. Unë mendoja se do kishte euforinë, por ndeshja sot tregoi të kundërtën. Shehi ka ditur ta përgatisë skuadrën në mënyrën më të mirë për këtë ndeshje. Loro Boriçi është një fushë shumë e vështirë për të gjithë.

Pak minuta para ndeshjes, Ismajlgeci u dëmtua në nxehje. Është një lojtar që bën diferencën me të tjerët. Kjo tregoi se Shehi i kishte të gjitha planet gati. Tirana u tregua një skuadër e përulur. Të gjithë futbollistët luajtën në grup dhe ndihmuan njëri-tjetrin. Për Tiranën kjo është fitorja e 4 radhazi dhe nuk kanë pësuar ende humbje. Po të shikojmë ndeshjet e këtij kampionati, kanë qenë sfida jo me shumë gola të pësuar.

Përpara ndeshjes Vllaznia-Tirana, klubi Shkodran njoftoi se nuk do të lejonte në stadium tifozët e Tiranës, vendim nga i cili u tërhoq më pas. Pse ky hezitim dhe a u regjistrua ndonjë incident gjatë ndeshjes apo pas saj?

Hajdini: Nëse nuk do të lejoheshin tifozët, do të krijohej një precedent që nuk do ishte e mirë për kampionatin shqiptar. U bë mirë që u lejuan të ishin në stadium. Ishte një postim i tifogrupit të Tiranës, që bëri Vllazninë për të ndaluar ata. “Tirona Fanatics” u futën në stadium me vonesë, për shkak të rrugës, jo sepse kishte ndonjë problem në stadium. Nuk besoj se do i shërbente futbollit, një masë për ndalimin e tyre. Nuk mund të linin tifozët jashtë, sepse ata kishin blerë edhe biletat.

Ndeshja tjetër e luajtur sot ishte ajo mes Laçit dhe Skënderbeut, ku trajneri i kurbinasve, Mirel Josa, debutoi me fitore. Me këtë ndryshim në stolin e trajnerit, a mund të rikthehet Laçi ekip pretendent për vendet e para?

Hajdini: Është ende herët për të folur për pretendente. Faza e parë po shkon drejt fundit, por diferenca aty është. Laçi sot mori fitoren e dytë radhazi, dhe kjo bën që të rikthehet entuziazmi në këtë skuadër. Kishin një moment negativ, për shkak të trajnerit. Duket se aty paska qenë problemi te trajneri. Josa njihet tani për ata shkundjen që i ka bërë skuadrës. U duk dora e tij që te ndeshja e sotme. Kjo fitore nuk vlen vetëm për moralin, por e rikthen në identitet. Laçi është një skuadër që në ADN kanë agresivitetin dhe këtë treguan edhe sot.

Ndërkohë po shohim një performancë shumë të dobët të Skënderbeut. Pse kjo paraqitje e klubit korçar?

Hajdini: Skënderbeu po vuan pasojat e atij dënimi që ka pësuar në Europë. Gjysmën e dënimit e kanë shlyer. Është tepër e vështirë që të mbijetojnë dhe të rivalizojnë në Superiore. Të gjithë rivalët kanë investuar, ndryshe nga korçarët. Sezonin e kaluar bënë një finish shumë të mirë, për të mbijetuar. Problemi i Skënderbeut është se nuk ka lider. Lojtarët e Skënderbeut nuk kanë afirmin dhe pjekurinë për të bërë mirë. Megjithatë është ende herët. Memelli atë që bëri sezonin e kaluar, nuk është çudi ta bëjë edhe në këtë sezon.

Dje, Kukësi arriti të merrte një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos. A janë verilindoret kundërshtarët e Tiranës për titullin kampion?

Hajdini: Kukësi e ka treguar prej fillimit, që ndonëse është një skuadër e riformatuar, është nga ato skuadra që bën futboll të bukur dhe kë dëshira ta shikosh në fushë. Ata futbollistë kanë arritur të përthithin të gjitha idetë e trajnerit. Kukësi është skuadra me sulmin e dytë më të mirë në kampionat. Dinamo edhe mund të mos kishte humbur, por Kukësi nuk vodhi asgjë. Verilindorët mund të quhet si rivali më i përafërt i Tiranës, për këto momente. Stadiumi do të jetë një armë tjetër për Kukësin, për të luftuar deri në fund për titullin kampion.

Nderkohë nesër luhen dy ndeshje të tjera, Teuta-Kastrioti dhe Partizani-Egnatia. Cilat janë të rejat për këto përballje?

Hajdini: Teuta dhe Kastiroti, nëse i shikon në letër janë me objektiva të kundërt. Teuta ka treguar që jo në pak raste me skuadrat e vogla, ka vuajtur. Martini ka punuar mirë dhe di të marrë maksimumin te skuadra e tij. Problemi i vetëm te Teuta është sulmi, pasi të gjitha ndeshjet i kanë fituar me një gol diferencë. Ndreu i ka marrë maksimumin lojtarëve të tij, por nuk kanë vazhdimësi për rezultatet negative. Kastrioti pritet të jetë një kockë e fortë për durrsakët. Edhe në ndeshjen tjetër, Partizani në letër është i avantazhuar ndaj Egnatias. Të kuqtë do të jenë me trajnerin Daja të pezulluar, ashtu si edhe me mungesën e tifozëve, të dënuar. Ndeshja luhet në "Air Albania”, një anë pozitive për Partizanin.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy