
Sportistja shqiptare Evangjeli Veli u shpall kampione e Europës në peshëngritje në Kampionatin Europian, që po zhvillohet në Tiranë. Veli triumfoi në peshat deri në 55 kg, ku u rendit e para në dygarësh pasi ngriti 208 kg në total.
Në një lidhje skype me edicionin e lajmeve në MCN TV, peshëngritësja shqiptare u shfaq shumë e lumtur për këtë arritje, për të cilën tha se e kishte edhe objektiv.
Veli kishte edhe një thirrje për shtetin, për të ndihmuar sportistët, duke thënë që të mos i harrojnë, pasi me pak ndihmë dhe arrijnë suksese të mëdha.
Jam shumë e lumtur, nuk mund të shpreh me fjalë sesi ndihem. Është një gëzim i madh. Para Botërorit unë u dëmtova, në tetor bëra testin dhe dola shumë mirë, por pas një jave, filloi problemi me këmbën. Njëherë menduam të mos shkoja fare në Botëror. Kur u kthyem nga Botërori, u morëm me këmbën dhe tashmë erdhi suksesi.
Siç e kam thënë edhe më parë, unë në këtë Europian, kisha objektiv të vendosja rekord. Taktika ishte që të merrja medalje ari dhe ia dola.
Kam marrë shumë mesazhe, nuk kam arritur t’i përgjigjem të gjithëve. Shteti ka bërë shumë të mirë, po e vlerësojnë shumë peshëngritjen. Besoj se do të na japin akoma më shumë mbështetje. Dua t’i falënderoj për çdo gjë që kanë bërë për ne dhe të mos na harrojnë. Ne kemi sjellë gjithmonë suksese për Shqipërinë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Me mbështetjen e tyre mund të arrijmë gjëra shumë të mëdha. Në peshëngritje po japim shumë me pak ndihmë, imagjinoni të kemi ndihmën siç duhet ta kemi se çfarë mund të bëjmë.



