Nënkampionja e Europës, atletja Luiza Gega, ka zhvilluar gjatë ditës së sotme seancën e fundit stërvitore pak para garës së parë ku do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Rio 2016. Sportistja shqiptare do të garojë nesër në 3000 metra me pengesa.
Por ndërsa sytë dhe shpresat për medalje e sportdashësve do të jenë të përqëndruar tek Gega, kjo e fundit nuk do të jetë edhe aq e qetë gjatë garës. Edhe pse atletja po kalon një formë të mire fizike, sipas disa mediave nënkampionja e Europës ka probleme me tendinën e akilit. Ky fakt konfirmohet edhe nga trajneri i Gegës, Taulant Stërmasi.
“Sot zhvilluam stërvitjen e fundit dhe Luiza është në gjendje të mirë fizike por tendina e akilit vazhdon ta shqetësojë ose më saktë ta ndiejë si shqetësim.
Ne shpresojmë që të mos i jap shqetësim gjatë garës pasi do ishte problem i madh.
Kalimi i pengesës e vështirëson edhe më shumë,gjithsesi nëse Luiza nuk do ndiejë dhimbje në tendinë atëherë finalja është e arritshme” – ka deklaruar për "Report TV" trajneri Stërmasi.
Gjithashtu Gega do të përballet edhe me një konkurencë tejet të forte. Kujtojmë këtu se nesër do të garojnë 56 atlete në 3 bateri, 19 sportiste për bateri dhe vetëm 4 vendet e para kalojnë për në finale.



