Mesfushori i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, ka folur para mediave, në prag të ndeshjes që skuadra e tij do të luajë ndaj Dinamos ditën e nesërme. Jonuzi është shprehur se do ishte i kënaqur edhe me një fitore minimale të skuadrës së tij, duke thënë se parashikon një ndeshje shumë të fortë.
“Është e vërtetë që kemi pesë ndeshje me katër fitore dhe një barazim. Shihet që grupi po formohet akoma edhe më mirë dhe them se duhet të vazhdojmë me këto rezultate dhe në këto dy ndeshje që kemi këtë vit dhe uroj të marrim maksimumin.
Në çdo ndeshje ne futemi për të marrë maksimumin, por kur ekipe si Dinamo nuk janë në moment të mirë, vijnë të motivuar për të bërë kthesën. Ka momente kur një ekip është në vështirësi, por vjen një moment që tregon dhëmbët ndaj duhet vlerësuar kjo pjesë e të hymë në fushë 100%. Parashikoj që do jetë një ndeshje shumë e fortë dhe duhet të japim shpirtin në fushën e lojës.
Edhe po të fitojmë me një gol do ishte kënaqësi. Tri pikëshi ka rëndësi dhe ajo që na kënaq së bashku me vazhdimësinë.
Është ngushtuar diferenca me katër pikë me kreun dhe duke parë ndeshjet që kanë rivalët është një distancë e rikuperueshme, por ne do të shohim veten tonë dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, pasi vetëm në këtë mënyrë do kemi rezultat.”, u shpreh Jonuzi.



